Popular Posts

Wednesday, April 6, 2011

UDHËKRYQI I ARUMUNËVE/VLLEHVE

U desh një deklaratë e një konsulli, veshur me xhup dimëror në një ambient festiv në Korçë, që të trazohej çështja arumune/vllahe në përmasa kombëtare. U morën institucionet e larta zyrtare (Ministria e Jashtme dhe KLD-ja); politike (PPDNJ e ndonjë tjetër) dhe, shumë më vrullshëm, masmedia (elektronike dhe e shkruar), duke tërhequr prononcime nga shoqata, personalitete politike e shkencore, të shoqërisë civile, opinionistë dhe korrespodentë të thjesht që raportonin nga terreni). Këndvështrimet janë nga më të ndryshme, por konvergojnë në një pikë: Mos po na i merr arumunët/vllehtë Greqia? Së bashku me ta edhe disa shqiptarë, që për arsye ekonomike, kanë ndërruar emër e fe dhe duan të ndryshojnë edhe kombësi?
Shqetësimi: këta të fundit janë shumë pak, dy-tre mijë, ndërsa ata, arumunët/vllehtë, janë shumë dhe po të regjistrohen grekë numri i minoritetit grek në Shqipëri mund të arrijë në mbi 300-400 mijë.
Po ç’janë këta vllehtë/arumunë, që mund të konvertohen në grekë? A e kanë ata të drejtë të deklarojnë etninë e tyre në çdo vend që jetojnë, ashtu si ndau historia nëpër shtetet ballkanike dhe të jenë popull më vete pra, as grekë, as shqiptarë, as bullgarë, as serbë? A u janë krijuar kushtet ligjore që ta deklarojnë etninë e tyre dhe t’u njihet kjo edhe zyrtarisht?
Këto pyetja e të tjera si këto, janë të natyrshme të bëhen.
Por pse lindin të tilla pyetje?
Jo se nuk u dihet përgjigjja shkencore, por sepse bëhet sikur harrohet, dhe shqetësimi shkon vetëm deri aty:
Në Shqipëri: “O bo, bo, se mos regjistrohen vllehtë si grekë!”
Në Greqi: “O bo, bo, se mos thonë vllehtë që nuk jemi grekë, por popull tjetër!”
Vetëm kaq është shqetësimi. Asnjë nga zotërinjtë, që vrullshëm diskutojnë në mënyrë akademike e politike nuk thonë: po si do duhej të regjistroheshin vllehtë/arumunët? Natyrshëm ata do të donin t’u thuhej qartë: s’keni pse tjetërsoheni: regjistrohuni vlleh/arumunë, ashtu siç jeni realisht. Po ka një problem jo të vogël.
Nëse nuk jemi në Shqipëri për vetë deklarim, të anulohet dhe të mos përdoren sofizma të tilla se: që ta deklarosh ndryshimin e etnisë duhen “faktorë objektivë”. Demek të kesh dokumente që je vllah/arumun, kur dihet se pjesëtarët e kësaj etnie në shumicë dërrmuese mund të themi mbi 90 % nuk e kanë këtë mundësi. Pra praktikisht, edhe thuhet regjistrim sipas etnisë edhe kërkohen dokumente. Nëse ka dokumente s’ka pse të bëhet fare ky regjistrim dhe vllehve/arumunëve t’u thuhet shqip: Mos na lodhni veshët: ju jeni shqiptarë dhe lëreni këtë punën e etnisë suaj.
Po pse nuk thuhet kjo? Sepse duhet t’u shitet mend institucioneve ndërkombëtare, sidomos Këshillit të Evropës, që ka një “Konventë Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare”, ratifikuar nga parlamenti ynë dhe monitoruar nga një “Komitet Këshillues” për zbatimin e saj. Deri tani ky Komitet ka bërë dy kontrolle dhe këtë vit pritet i treti. Si do u thonë relatorëve të KiE, nëse nuk i njohin më arumunët/vllehtë si minoritete, qoftë dhe si etno-kulturor kur nuk u dihet numri dhe nuk lejohen të vetë deklarohen si të tillë? Ja ky është problemi!
Edhe kur ndjek emisione televizive, me disa përfaqësues të shkencës, politikës e shoqërisë civile, përfshi edhe nga komuniteti vllah, drejtuesi i emisionit i druhet pyetjes: atëherë si duhet të regjistrohen vllehtë/arumunët? Nuk e ka qejf drejtuesi i emisionit televiziv këtë pyetje, sepse do t’i vinte në siklet të ftuarit, por edhe të ftuarit vetë nuk dalin në këtë pikë, se kanë hall mos e prishin harmoninë e temës së diskutimit, që është: “të flasim sot vetëm për atë që të mos regjistrohen grekë”, duke pasur plotësisht të drejtë. Veçse kjo është gjysma e së tërës. Përgjigja e plotë do të ishte po t’i shtohej kësaj edhe gjysma tjetër: çfarë duhet të deklarohen arumunët/vllehtë. Ndryshe çështja arumune/vllahe mbetet në udhëkryq.
Pra, përtej shqetësimit se mos regjistrohen grekë, duhet të vijë edhe rruga e zgjidhjes. Pra të regjistrohen arumunë/vllahë. Por a i kanë kushtet zyrtare për këtë? Do të pyesja një nga zotërinjtë më të zellshëm dhe që ka marrë flamurin për këtë çështje, apo ndonjë shkencëtar historian, që në dy-tre media në ditë, artikulon argumentet e tij me të drejtë, që vllehtë/arumunët nuk janë grekë: çfarë janë ata e si duhet të deklarohen arumunët/vllehtë? Mendoj se kjo pyetje e do përgjigjen e saj që “fushata” të jetë e besueshme e të ketë sukses ose jo, në varësi të përgjigjes.
Por, në vijim të debatit del se rrugëzgjidhja është të mos ketë fare në pyetësor kërkesë për etninë dhe as për gjuhë amtare. Kështu i kemi dhënë përgjigje indirekte edhe arumunëve/vllehve. Ju s’jeni etni!...
Me një fjalë: grekë mos u regjistroni, por ama as etni nuk jeni.
Janë me mijëra argumente që tregojnë se arumunët/vllehtë s’janë grekë, por janë po me mijëra argumente që hedhin poshtë edhe atë, siç pretendohet se janë i të njëjtës etni me popullsinë ku jetojnë. Të themi psh se në Shqipëri janë shqiptarë, që shumëkujt do t’i dukej skandal po të thuash se s’janë shqiptarë. Mirëpo, me këtë logjikë do të thoshim se edhe në Greqi, edhe në Bullgari, edhe në Maqedoni, edhe në Serbi, edhe kudo në diasporë jashtë Ballkanit, ata janë shqiptarë, sepse arumunët/vllehtë e Shqipërisë nuk kanë asnjë dallim, në radhë të parë në gjuhë e zakone, me arumunët e kudondodhur në botë.
E lëmë këtë çështje: Të kalojmë njëherë këtë që na i trazoi konsulli grek në Korçë. Pastaj merremi me të tjerat. Kjo do të thotë që vazhdimisht e vazhdimisht çështja arumune/vllahe do të mbetet në udhëkryq.
Dihet se një çështje e mbetur në udhëkryq gjithmonë do ngjallë debate, probleme, gjithmonë do pjellë deklarata të papërgjegjshme, ndoshta jo të niveleve të larta, por shpina e deklaruesit do fërkohet, sepse ai e bëri punën e tij. Në rastin konkret ai ua transmetoi kumtin vllehve/arumunëve: regjistrohuni pa frikë se jeni grekë! Dhe fal medias sonë shumë të specializuar, ky kumt u reklamua me të gjitha detajet e në ligjëratë të drejtë, pa pagesë në çdo qelizë vllahe/arumune dhe iu tha atyre se: Greqia ju kërkon, tani ju përgjigjuni!
Se çfarë janë vllehtë nuk ka nevojë për pena amatore e që kërkojnë të bëjnë interpretime të citateve të mbledhura poshtë e përpjetë nëpër libra. Atë e kanë bërë dhe e bëjnë njerëz të mirëfilltë të shkencës, studiues, që gjithë jetën e kanë shkrirë me studime dhe këto studime për ta nuk kanë qenë “për sport”, si i thonë. Kështu psh me kërkesë të Qendrës së të Kërkimeve Ballkanike në Paris, me drejtues historianin e njohur në botë, George Castelano, autorin e librit “Historia e Ballkanit”, studiuesi më në zë i çështjes arumune Cicerone Poghirc përgatiti një temë, të cilën e paraqiti atje. Ajo u botua në librin “Arumunët-Historia, Gjuha, Fati”. Ky referat është përkthyer dhe botuar i plotë në librin “Arumunët e Shqipërisë - Histori dhe dokumente 1”, botim i shoqatës “Arumunët e Shqipërisë”.
Po kështu janë të shumta studimet për etnogjenezën e arumunëve, të cilat nuk është vendi dhe nevoja t’i përmendim këtu. Shumica e tyre konvergojnë në një pikë: janë autokton dhe të përzier me ata që kanë ardhur nga veriu i Danubit, të formuar nën romakëzimin kulturor dhe gjuhësor, gjatë sundimin e Perandorisë romake, me prejardhje trako-dake, me një kulturë, gjuhë e besim të njëjtë.
Jani Gusho


No comments:

Post a Comment